JETA MODEL E NJË SHKENCËTAREJE- PROF. DR. SABILE KEÇMEZI-BASHA
Ajete Zogaj: Intervistë me Prof. Dr. Sabile
Basha
JETA MODEL E NJË SHKENCËTAREJE- PROF. DR.
SABILE KEÇMEZI-BASHA
Nga Ajete ZOGAJ
Me prof. dr. Sabile Keçmezi-Bashën, bëmë
intervistë në lokalet e Institutit të Historisë së Kosovës. Temë boshte e
bisedës sonë ishte veprimtaria shkencore dhe krijuese e saj. Ajo, duhet thënë
pa modesti, se është njëra ndër femrat shkencëtare më produktivja në fushën e
shkencës gjithashtu, edhe të krijimtarisë letrare. Si gjithmonë modeste, e
buzëqeshur dhe me dashamirësi na priti në zyrën e institutit, me shpresë se një
ditë do të shpalosim edhe tema të tjera më të përimtësuara për jetën dhe
veprimtarinë politike të saj.
Zonja Keçmezi-Basha, gjerë më tani ka botuar
këto vepra shkencore: Programet Politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare,
1878- 1990, I.H. Prishtinë, 2013, 1-429
f. ;Veprimtaria atdhetare ilegale në Anamoravë 1945-1990, Pjesa e
Parë, I.H. Prishtinë, 2013, 1-409 f; Të burgosurit politikë shqiptarë në
Kosovë 1945 -1990, Logos-A, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2010, 1-600 f; Shtypi
ilegal shqiptar në Kosovë (1945-1999), I,Prishtinë, 2009,1- 570 f; Organizatat dhe grupet ilegale në Kosovë
1981-1989,Prishtinë, 2003,1-346 f; Lëvizja patriotike shqiptare në Kosovë
1945-1947, (ribotim), Shkodër, 1999;
Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë më1945 1948, Prishtinë, 1998,1- 303 f; Monografia
"Gjilani me rrethinë" (bashkautorë), Gjilan , 2012; Sulejman
Krasniqi-Veprimtaria atdhetare, Shoqata e të
Burgosurve politik, Prishtinë,
2012,1- 335 f; Ekspozitë “Shtypi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (1945 -1999),26 nëntor 2012. Kuvendi Komunal –Gjilan; Kontributi
atdhetar i Hyrije Hanës, Libri Shkollor,Prishtinë, 2011,1- 330 f; Kosova në shtypin e mërgatës shqiptare
1945-1990), III, (Qëndresa Shqiptare;
Krahu i Shqiponjës; Kosovarja e Re ), Libri Shkollor, Prishtinë 2011,1- 323 f; Kosova në shtypin e mërgatës shqiptare (1945-
1990), II ,,(Lajmëtari i Lirisë;
Përpjekja Kosovare), Libri
Shkollor,Prishtinë 2011,1- 303 f; Zhvillimi historik i PKJ-LKJ-së në
Kosovë më 1945-1966 (nga viti 1945 deri te Plenumi i Brioneve),
Instituti i Historisë, Prishtinë,1987,1- 285 f; Vlerësime politiko-historike,
Brezi’81, Prishtinë, 2012, 319 f; Kosova 1945-1990 (Vështrim
politiko-historik), Instituti i Historisë,1- 2017,1- 577 f; Formimi dhe veprimtaria e NDSH-së - Procesi
gjyqësor i Prizrenit, 1946, Instituti i
Historisë, Prishtinë, 2018,1- 750 f;
Ngjarjet, dëshmitë dhe identiteti
Kombëtar, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2018,1-567 f; Ballafaqim me dëshmitë historike, Instituti i
Historisë, Prishtinë,2018,1-550 f.
Botime letrare: Këmisha e Atdheut (poezi), LSHK, 2013; Metaforë iberike
(poezi), LSHK, 2011; Kujtesën e ka kapur skleroza (poezi), LSHK, 2011; Nusja e
gurtë (poezi), “Rilindja” 1989; Kohë
epileptike (poezi), “Jeta e Re” 1996; Dy
lule ka mami (poezi), “Pionieri” 1993;
Ëndrrat e trishta (poezi), “Rilindja” 2000; Hadi (dramë), SHSHK 2005;
Nata pa kornizë (roman), LSHK 2008;
Malli për Itakën (poezi), LSHK 2008;
Anatomia Iubirii (poezi), Bukuresht 2009; Kodi i pritjes (poezi), LSHK, Prishtinë 2010;
Në klasën e parë (Poezi), Era, Prishtinë 2016; Testament, (Poezi), LSHK,
Prishtinë 2018; Beni e qenushi,
(Poezi),LSHK, Prishtinë 2018; Çka do pritja pa mua, (Poezi), LSHK, Prishtinë
2018
Zonja Keçmezi-Basha, jeni femra e parë që
keni mbarua Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, gjithashtu jeni edhe
femra më e re që keni doktoruar, a mund të na përshkruani këtë rrugëtim, sa
sfidues aq edhe domethënës?
Eeee me ktheve mbrapa në kohë, e në atë kohë
ka momente të gëzuara por edhe të trishtuara. Ka momente kur njeriu pyet veten,
athua vërtet unë e kam kalua atë rrugë që jetë i thonë. Megjithatë, qëllimi për
të bërë diçka, për të arritur në anën tjetër të segmentit jetë, të gjitha
tejkalohen me një angazhim e punë të vazhdueshme. Vite të vështira ishin ato,
atëherë kur nga fshati im i lindjes ende nuk kishte asnjë femër që kishte
vazhdua shkollimin e mesëm, e mos të flasim të ishte në ndonjë fakultet. Isha
femra e parë nga fshati që vazhdova mësimin në shkollë të mesme, pastaj isha
femra e parë që mbarova Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd. Po ashtu
isha edhe femra më e re që kisha doktorua në Kosovë, Ishte viti 1972, kur bota
ziente, e mos të flasim për Kosovën që ishte koloni e Serbisë, por dëshira e
madhe në të vërtet e babait tim për të vazhduar studimet në Shkencat Politike,
ishte një ëndërr që unë isha ajo që duhet bërë realitet. Për babin tim (që
kishte qenë veprimtar i NDSH-së në Anamoravë, pastaj dy herë i burgosur
politik, pastaj edhe vdekja e tij edhe sot është enigmatike), shkollimi dhe
angazhimi i femrës në rrjedhat shoqërore , politike e shkencore ishte i
domosdoshëm dhe imperativ i kohës. Gjithmonë më fliste babai se fëmijët në këtë
botë nuk vijnë vetëm për vete por kanë edhe një mision edhe më të rëndësishëm
që duhet dashur, punuar e mbrojtur atdheun. Në kohën kur unë regjistrova
Fakultetin e Shkencave Politike, thënë të drejtën shumë pak njerëz dinin se
çfarë është ky fakultet. Por babai
kishte këmbëngul qe unë duhet shkuar atje dhe duhet përfunduar fakultetin, ngase në Prishtinë mungonte një i
tillë, dhe mendonte se Kosova, ka nevojë
për kuadër të tilla. Në këtë rast nuk dua të flasë për peripecitë e rrugës së
shkollimit, ngase kanë qenë të shumta, vetëm merrje me mend të shkosh në një
qytet të panjohur, me një mosnjohje aspak të gjuhës dhe të ballafaqohesh me
disa profesorë që iu dukëte qesharake, që shqiptarja vjen dhe studion shkencat
politike, “kur ju nuk keni as republikë e as shtet tuaj” më patë “sugjerua” një
profesorë, që më mirë të studioja
mjekësin apo juridikun se Kosmeti kishte nevojë për kuadro te tilla, e
sëmundjet e shumta e kriminaliteti politik është shumë i lartë atje tek ju. Dhe
çfarë ndodhi, fjalët e profesorit më shtynë që punën e nisur ta përfundoja sa
më parë, dhe të kthehesha nga kisha ardhur. Puna gati-gati pak me shume orësh mbi libra, ndikoi që pas katër vitesh
të kthehesha me diplomë dhe të punësohem në Institutin e Historisë ku edhe sot
punoi.
Në rrethanat dhe kohën kur ju u shkolluat,
shkollimi i femrës ishte shumë i vështirë. Sa i motivuan të arriturat tuaja,
femrat e asaj ane, dhe femrës kosovare?
E thash më lartë se unë isha femra e parë
nga fshati që kisha fillua mësimet në shkollë të mesme, por dua të them se më
vonë, numri i tyre u shtua dhe shkollimi i saj në komunën e Dsrdanës-Kamenicës
shihej si domosdoshmëri. U shtua numri që vijuan fakultetet në Prishtinë e
gjetkë. Por, motivimi kryesor u arrit, kur unë përfundova studimet dhe fillova
punën, atëherë ishte kurorëzimi i plotë i punës sime katërvjeçare. Atëherë u
prek suksesi, dhe më, shkollimi i femrave nuk ishte tabu, por një gjë që të
bënte të barabartë me të tjerët. Nuk dua të them me meshkujt, ngase në anën
time në veçanti e tek shqiptaret në përgjithësi është respektua gruaja. Andaj
unë zakonisht unë e kam ndi veten me fat, se si nga babai por edhe nga rrethi
kam qenë e barabartë me të tjerët e herë- herë, kam qenë edhe e privilegjuar
nga të tjerët. Dhe sigurisht, kjo ka ndikuar tek gjeneratat e reja për të
ecur shtigjeve që i thonë shkollim.
Puna juaj shkencore është shumëdimensionale,
periudhash të ndryshme. Do të veçoja librin “Të burgosurit politik shqiptar
1945-1990”, pastaj “Kosova 1945-1990 (vështrim historiko-politik); “Shtypi
ilegal shqiptar në Kosovë 1945-1990” ( tri vëllime); Programet Politike të
Lëvizjes Kombëtare Shqiptare 1878-1990”; “Organizata dhe grupet ilegale në
Kosovë 1981-1989”; “Kontributi atdhetar i Hyrije Hanës” e shumë e shumë libra të tjera të
cilat me këtë rast nuk mundemi ti përmendim, nga ky motivim që të shkruani këto
monografi?
Asgjë nuk është e pa arritshme, vetëm duhet
pasur motivim, arsye dhe dashuri. Thënë të drejtën gjerë më tani, kam shkruar
dhe kam në dorëshkrim mbi 35 monografi shkencore duke mos e përmendur prozën e
poezinë që i kam pasion. Unë jam Këshilltare shkencore në Institutin e
Historisë “Ali Hadri “ në Prishtinë dhe dihet se instituti merret me hulumtimin
dhe shkrimin e historisë së popullit shqiptarë. Andaj duke parë dhe përjetuar
të kaluarën tonë të bujshme e të dhembshme historike, vetvetiu të imponohej që
të hulumtosh e të shkruash atë. Shtrohet pyetja si do dëshmonim ne për
padrejtësit e shumta historike poqese nuk do i paraqesim argumentet shkencore. Ka kaluar koha kur ne e mësonim historinë si
prrall. Kur isha e vogël më tregonte gjyshja kur kanë hy bullgaret në anën
tonë, ose kur i kanë marr burrat në mes të natës në hetuesi në kohën e
Rankoviqit, për armën që nuk e kanë pasur, dhe ka ndodhë shpesh që ata ose nuk
janë kthyer fare ose i kanë sjellë të alivanosur në shtëpi të gjymtuar. Dhe si
fëmijë, e dëgjoja dhe mendoja çfarë prralle e tmerrshme. Por më vonë, kur hyra
në arkiva të ndryshëm, gjeta dëshmi edhe më të tmerrshme seç më tregonte gjyshja.
Dhe duhet zbuluar, nxjerr nga pluhuri dhe duhet dëshmuar se ato janë aty, me
vulë, me nënshkrime, me emra njerëzish e çka jo tjetër. Materialet janë aty,
vetëm duhet hulumtuar, sistemuar, botuar por çka është më e rëndësishmja libri
shqip duhet përkthyer në gjuhë të huaj, që të bëhet më e kapshme për ta
konsumuar të tjerët. Tani për tani historia e përkthyer na mungon, andaj edhe
është krejt e natyrshme që mos ta dijë bota të vërtetën për shqiptarët. Në këtë
drejtim duhet të jemi më të angazhuar dhe duhet
depërtuar historia e shqiptarëve në të gjitha bibliotekat e rëndësishme në botë. Ta zëmë, libri “Të
burgosurit politik shqiptarë 1945-1990), nuk është thjeshtë një libër, ajo
është një histori e tmerrit e dhunës nga okupuesi, të burgosurit politik
shqiptar, nuk janë vetëm numra (statistikë), ata kanë emër e mbiemër, kanë
datëlindje e vendbanim , kanë vitin e dënimit, nenin pse dënohej, dhe vitin
marramendës të burgut, kanë dosjet kanë organizatën kanë programin e tyre
politik dhe krejt në fund kanë aktgjykimin e vulosur nga ana e gjykatësit.
Kishte me qenë paradoksale diku tjetër, por në Kosovë ka qenë krejt normale që
nga viti 1945 e gjerë më 1990, shqiptarëve të dënuar politik t’iu shqiptohen
666 shekuj,72 vjet e 7 muaj burg. Dhe nuk gjendet mundësia që ky libër të
botohej në gjuhën angleze dhe të shpërndahet në tërë botën me ndikim. Ne
shkencëtaret këtë punë bëjmë, ama duhet bërë mirë dhe me përkushtim se
përndryshe do na hakmerret historia. Duhet shtuar edhe këtë se unë merrem me
histori bashkëkohore, kryesisht me lëvizjen ilegale, andaj edhe librat e mija
kanë këtë përmbajtje. Historia e Kosovës sa i përket organizatave ilegale nuk
është mjaftë e hulumtuar. Është një periudhë historike shumë e rëndë dhe shumë
e vështirë për tu shkruar, ngase është një kohë mjaftë e afërt dhe aktorët e
këtyre ngjarjeve janë ende gjallë, (si ta marrësh këtë kohë), është mirë ngase
mund ti përdorim si subjekte dëshmuese historike) por mund të jetë edhe e
dëmshme ngase çdo periudhë ka dritë-hijet e veta dhe është domosdoshmërsi e
ngutshme, të shkruash për disa persona,
ngase ata kanë familjarët e tyre të gjallë dhe nuk kisha dashur asnjëherë me
dashje që ti lëndoi. E shohë insistimin e juaj tek libri për Hyerije Hanën.
Mund të them se zonja Hyrije ka qenë një personalitet i historisë më të re të
Kosovës që ka bërë shumë dhe është sakrifiku për lirinë e sajë. Një histori e
dhembshme për një grua të çeliktë. Fati tragjik gati-gati e ka përcjell tërë
familjen. Hyrije Hana ishte motër e patriotit të madh Xheladin Hanës. Ishte
krejt normale që të pritej një dhunë e tillë nga pushtetarët edhe për Hyrije
Hanën...
Gjithashtu, jeni një hulumtuese e palodhur e
shumë arkivave, me theks të veçantë të Lëvizjes Ilegale në Kosovë, e shtypit të ilegales si në Kosovë edhe në mërgatë, për çka keni botuar edhe tri libra
dhe keni shumë të tjera në dorëshkrim, çfarë mund të na thoshit.
Mirë e thatë ju, libri shkencor nuk mund të
shkruhet ta zëmë si romani. Duhet hulumtuar në arkiva të ndryshme për të sjell
prurje të reja shkencore. Por , kur është fjala te shtypi i ilegales në vend
dhe në mërgatë ndryshon puna. Shtypi i organizatave ilegale është botuar
ilegalisht dhe është shpërndarë ilegalisht, andaj rrallë për mos thënë fare nuk
ndodhet në arkiva apo në biblioteka. Të gjitha shkrimet që i kam bërë për
shtypin, kryesisht i kam huazuar nga individët, të burgosurit politik, që i
kanë ruajtur nëpër thasë të plastikes të
futura nën dhe apo në bunarë siç ishte rasti i Rexhep Malës, që shumë vonë janë
zbuluar. Pastaj tek –tuk i kam gjetur në dosjet e të burgosurve politik kur me
rastin e arrestimit i kanë zbuluar në shtëpitë e tyre që në procesin gjyqësor
janë përdorur si dëshmi për veprimtarinë e tyre ilegale. Ndërsa shtypi i
mërgatës, atje ku asht botua, në shtete të perëndimit, ka qenë legal, por me
shumë vështirësi është futur brenda, por ta gjetur ka qenë pakëz më i lehtë,
ngase ka qenë e mundur, organizatat kanë pas edhe arkivat e tyre dhe njerëzit
qëllim mirë, mi kanë huazuar dhe mu nga kjo punë me rastin e 100 vjetorit të
pavarësisë së Shqipërisë kam hapur një ekspozitë me kopertina e shtypit ilegal
që është botuar në Kosovë por edhe në mërgatë. Tani jam në përfundim të librit,
që shkruaj për gazetën “Besa“ të shqiptarëve që është botuar në Stamboll, dhe
për disa të tjera jam duke i grumbulluar materialet e nevojshme.
Zonja Basha, në këtë kontest të hulumtimit,
si e shihni rolin e mërgatës dhe shtypit
të saj karshi Kosovës dhe zhvillimeve
historike?
Në vazhdën e shumë gazetave dhe
publicistikës ilegale, që botoheshin në Kosovë, vend të rëndësishëm zë edhe
shtypi i mërgatës, që botohej nga mërgata shqiptare. Mirëpo, para se të shkruaj
për shtypin e ilegales në mërgatë, do të ndalesha vetëm pak, sa për të bërë një
informim të shkurtër për zhvillimin dhe ecurinë e saj. Në shtetet evropiane, por
edhe në tërë globin, kudo që ishin dhe jetonin shqiptarët, temë kryesore,
çështje mbi çështjet, ishte dhe ngeli Kosova dhe viset e tjera shqiptare që
kishin mbetur nën okupimin serb e jugosllav. Duke e parë se dhuna e terrori
ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi dita më ditë po përshkallëzoheshin,
shqiptarët që ndodheshin jashtë vendit kishin bërë organizime të ndryshme
ilegale, vetëm e vetëm për të ndihmuar dhe për të sensibilizuar opinionin
ndërkombëtar për gjendjen e padurueshme nën okupim në të cilën ndodheshin
Kosova dhe tokat e tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi. Pas vitit 1945, në botën
perëndimore po vazhdonte tradita patriotike e mërgatës shqiptare, sikurse ishte
vepruar edhe më herët, siç kishin vepruar shoqëritë shqiptare të Stambollit, të
Bukureshtit, të Sofjes, të Selanikut e shumë të tjera. Veprimtarinë atdhetare
të mërgatës shqiptare, sipas ecurive të saj pas Luftës së Dytë Botërore (1945),
e kam ndarë në dy etapa. Etapa e parë fillon që nga viti 1945, për të
përfunduar më 1966 (me Plenumin e Brioneve). Kjo periudhë karakterizohet me një
organizim më të madh. Në krye të saj ndodheshin intelektualë të shumtë, të
cilët kishin ikur e kishin emigruar menjëherë pas LDB-së, duke mos qenë të
kënaqur me sistemin e ri komunist në Shqipëri, por në këtë grupim bëjnë pjesë
edhe atdhetarët e tjerë, që ishin të zhgënjyer e të dëshpëruar me padrejtësitë
e tradhtitë që iu bënë Kosovës, me aneksimin e saj nga Serbia e
ish-Jugosllavia. Anëtarët e këtyre grupimeve të
mërguarve, edhe pas largimit nga vendi, përsëri kishin vazhduar
veprimtarinë e tyre atdhetare, duke formuar organizata të njëjta në mërgim,
sikurse ato që kishin vepruar në atdhe, si: “Lëvizja e Legalitetit”, “Balli
Kombëtar”, “Partia Agrare”, “Lidhja e Dytë e Prizrenit”, “Besëlidhja Kombëtare
Shqiptare” etj. Ndërkaq, etapa e dytë e mërgatës kap periudhën 1966-1999, në të
cilën janë përfshirë organizatat politike të mërgimtarëve shqiptarë, që
kryesisht kishin shkuar për të punuar, rëndom si punëtorë të zakonshëm, në
shtetet perëndimore, po kishte edhe të tillë që, nga dhuna e terrori i paparë
që ishte ushtruar ndaj tyre, kishin marrë botën në sy. Në fillimet e viteve ’60
të shekullit XX, në këtë lloj mërgate mungonte organizimi i mirëfilltë politik.
Mirëpo, me kalimin e viteve, numri i të ikurve shqiptarë nga ish-Jugosllavia u
shtua dukshëm, ndërsa disa prej tyre ishin edhe anëtarë të organizatave ilegale
që vepronin në Kosovë. Shpesh ndodhte që disa nga ta ,të merrnin hapa të
mëtejshëm dhe formonin grupime të reja politike. Nga ky grupim duhet përmendur
organizata ilegale “Fronti i Kuq”, të cilën e udhëhiqte me shumë sukses Ibrahim
Kelmendi. Kjo organizatë gjatë tërë veprimtarisë luajti një rol të rëndësishëm
për propagandimin dhe inicimin e shumë problemeve që kishin të bënin me Kosovën
dhe rreth saj. Ajo, jo vetëm që u angazhua për shpërndarjen e literaturës së
marrë nga Kosova si dhe nga Shqipëria, por edhe vetë nxori gazetën “Bashkimi”
në gjithsej pesë numra. Po ashtu, mori përsipër organizimin e shumë
manifestimeve antijugosllave si dhe, në bashkëpunim me grupime të tjera
ilegale, nëpër qytete të ndryshme organizoi demonstrata, greva, protesta dhe
ligjërata të ndryshme antijugosllave. Në mërgatën shqiptare, me mjaft sukses
vepronte edhe dega e OMLK-së, nën udhëheqjen e Hasan Malës dhe Kadri Abdullahut.
Në ato vite vepronte edhe Grupi “Zëri i Kosovës”, nën udhëheqjen e Riza Salihut
dhe Hysen Gegës. Më 1980, pas arrestimit të disa anëtarëve të grupit “Zëri i
Kosovës”, merret edhe qëndrimi që ky grupim të bashkohet me grupin e Ibrahim
Kelmendit “Fronti i Kuq” dhe nga këto dy grupime lind grupimi i ri, i cili
pagëzohet me emrin “Fronti i Kuq Popullor”. Kthesën më të madhe në ilegalen
shqiptare, që vepronte jashtë atdheut, e bëri dhe e pasuroi atë ikja e Jusuf
Gërvallës dhe lidhja e tij me Ibrahim Kelmendin në mërgim. Puna e përbashkët e
këtyre dy veprimtarëve intensifikon dukshëm veprimtarinë patriotike jashtë
vendit. Pas ardhjes së Kadri Zekës dukshëm aktivizohen dhe veprojnë në mënyrë
më të organizuar organizatat ilegale, si OMLK-ja, LNÇVSHJ-ja, “Fronti i Kuq
Popullor” e disa grupime dhe organizata më të vogla dhe më pak të njohura në
vend. Krijimi i grupeve dhe i organizatave ilegale pas vitit 1981, u
intensifikua me ikjen e shumë veprimtarëve të ilegales shqiptare, që vepronin
në Kosovë, por edhe të tjerëve të cilët kishin mbajtur dënimin dhe ia kishin
mësyrë kurbetit, ngase në Kosovë për ta ishte gjithçka nën vëzhgim. Ata, u
angazhuan me të madhe, duke qenë tani më të kujdesshëm dhe duke vepruar në një
konspiracion edhe më të thellë. Vepronin në qarqe të mbyllura dhe të
verifikuara mirë për çështje atdhetare. Organizata e cila luajti rolin e
faktorit koheziv të mërgatës shqiptare, pa dyshim ishte “Lëvizja
Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe e Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi”, të
cilën e udhëhiqte atdhetari i shquar Jusuf Gërvalla etj. Arsyeja që e shtyri
mërgatën e grupimit të dytë për t’u marrë me aktivitetin dhe punën ilegale të
shqiptarëve, ishte po ajo e vitit 1945, ngase Kosova, pas Kuvendit të
Prizrenit, në 1945, u aneksua nga Serbia dhe Jugosllavia. Kjo ishte e
natyrshme, ngaqë populli shqiptar kishte dalë në luftë dhe kishte luftuar
kundër fashizmit, kur edhe i ishte premtuar se pas kësaj do të vendoste vetë
për fatin e vet. Ishte normale, pra, që pas aneksimit të trojeve etnike,
popullata shqiptare të ishte e zhgënjyer dhe e pakënaqur. Faktor tjetër që
ndikoi në largimin e shqiptarëve nga trojet e veta ishte presioni shtetëror që
ushtrohej ndaj tyre si dhe faktorët politikë, ekonomikë, arsimorë, socialë dhe
padrejtësitë e shumta që u bëheshin atyre. Papunësia e madhe që kishte goditur
rininë, po kështu, ndikoi dukshëm në mërgimin e tyre jashtë atdheut. Më
1975-1978 largimi i rinisë për në Perëndim ishte shndërruar në dukuri. Ka të
dhëna se më 1981, numri i shqiptarëve që punonin jashtë vendit kishte arritur
një shifër alarmante prej 200.000 vetash. Faktorë të tjerë, që kishin ndikuar
në organizimin e mërgatës, mund të llogariten edhe kontaktet e shumta me
patriotë të ndryshëm, të cilët kishin ndikuar në formimin e organizatave
ilegale në mërgatë. Kontaktet e shumta të emigracionit kosovar me patriotët e
mëhershëm të viteve ’45-’48 të shekullit XX, u kurorëzuan me formimin e
organizatave të shumta atdhetare jashtë vendit. Si gjithkund në botë, edhe në
shtetet evropiane, ilegalja shqiptare luajti një rol të madh dhe të rëndësishëm
për përhapjen e së vërtetës dhe idesë çlirimtare. Gjatë veprimtarisë së saj,
mërgimtarët tanë arritën të organizonin shumë demonstrata dhe demarshe para
ambasadave jugosllave dhe në këtë mënyrë të ushtronin presion të vazhdueshëm
lidhur me gjendjen e rëndë në Kosovë. Një punë të madhe për ndërkombëtarizimin
e problemit të shqiptarëve nën Jugosllavi e bënte edhe emigracioni politik
shqiptar me prejardhje nga Kosova, por edhe nga të gjitha viset nga kishin ikur
shqiptarët. Në mesin e aktivistëve më të dalluar dhe që duhet përmendur pa
dyshim se janë: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Enver Hadri,
Ibrahim Kelmendi, Emin Fazlia, Vehbi Ibrahimi etj., të cilët në vazhdimësi
intensifikuan dhe sensibilizuan veprimtarinë patriotike drejt realizimit të
kërkesave gjithë popullore të shqiptarëve të Kosovës për liri, barazi dhe
vetëvendosje.
Dihet historikisht, se mërgata shqiptare ka
qenë arterie e fuqishme e kombit tonë gjatë gjithë rrjedhave historike. Sipas
jush, a po e lanë borxhin ndaj mërgatës, Kosova si shtet?
Kosova si një shtet i ri u bë, ma bashkimin
e të gjitha forcave atdhetare shqiptare të cilat vepronin si në vend por edhe
në mërgim. Andaj çdo kush nga ne e din
se sa e fuqishme ka qenë mërgate duke bërë sensibilizimin e çështjes së
pazgjidhur në kancelarit botërore. Kuptohet se asnjëherë nuk është mjaftë për
të bërë për mërgatën në këtë rast, ama mos të harrojmë se për ndryshimet
historike 10 vite nuk paraqesin ndonjë kohë të madhe andaj shpresoj shumë
shpresoj se një ditë, mërgata dhe veprimtaret e saj do e zënë vendin e merituar
në hierarkinë atdhetare, se ata vërtet e meritojnë.
Opusi juaj krijues, përfshinë një gamë të
gjerë librash. Prozë, poezi, romane dhe dramë. Ku e ndjeni vetën më të
realizuar, në fushën shkencore, apo atë letrare?
Shikoni, poezinë, romanin, dramën i kam
pasion, andaj për të shkruar poezi nuk duhem të shkoi në arkiv, por ajo vjen
befas, nga momenti, nga emocioni, nga pikëllimi apo gëzimi i ndonjë ndodhie,
poezia nuk mund të kontrollohet, ndoshta... ndoshta ajo vjen si ëndrra, po
erdhi frymëzimi, e zure momentin lind poezia më e bukur, por erdhi momenti dhe
nuk e zure, nuk e qite në letër, nuk ka poezi. Kështu është poezia. Por për mua
është shumë e lehtë të më vije muza për të shkruar ngase problematika me të
cilën merrem, vetvetiu më ofron edhe ndjesinë për të shkruar diçka që i thonë
varg poetik ...
Sa është e vështirë, të jeni nënë e
suksesshme, studiuese, hulumtuese e krijuese?
Vërtet e vështirë, por tërë jetën jam
munduar që të balancoi dhe të menaxhoi kohën për të mos i hy në hak asnjërës.
Roli i nënës nuk pushon asnjëherë edhe kur je në zyrë por ama edhe kur je në
shtëpi, po ashtu edhe roli i studiueses është i pa kufizuar, nuk përfundon në
zyrë, por as në mes të natës, për poezinë fola se ajo nuk ka kohë, vije aty për
aty dhe ik edhe më shpejt, nga kjo del se duhet të jem vazhdimisht e gatshme
për të gjitha. Si amësia, si shkenca, hulumtimi, krijimi të donë të tërën, loja
luhet pa rregulla, kjo është jeta e një nëne, e një shkencëtareje dhe e një
krijueseje. Për çdo gjë nevojitet të jesh e kompletuar, edhe për Artën që edhe
ajo tani e ka filluar këtë rrugë të “vështir” të shkencës (Është Prof. dr. e
arkitekturës, tani bursiste e Fondacionit Fullbrajt në IMT, Boston, Masaquset,
Sh.B.A) dhe nënë e Agonit, doktorant i Arkitekturës në Universitetin e Vjenës”.
Veç kësaj duhet të jem edhe nanushe e mirë e nipave të mi, Gertit, Darsit dhe
Ben-it të vogël. Po ashtu duhet te jem bashkëshorte e kolege e kujdesshme me
Tefikun, me te cilin zhvillojmë debate të pafundme shkencore, me që edhe ai
është profesor universiteti.
Në vitin 2001-2004 ishit deputete e Parlamentit të Kosovës. Si e shihni rolin e
femrës deputete, dhe a po i jepet sa duhet hapësirë femrës në jetën politike
dhe institucionale, kur dihet se pak femra kemi në pozita udhëheqëse?
E tani shikuar nga kjo distance kohore, do
thosha se ishim gra me fat apo edhe te privilegjuara qe ishim deputetet e para
te legjislacionit te pare te Parlamentit te Republikës se Kosovës, te njohur
ndërkombëtarisht. Atëherë, Kosova posa kishte dal nga lufta dhe ishim gra
entuziaste, me plote shpresa për një te ardhme ma te lumtur; ishim gra qe
sfidonim çdo gjë dhe ishim te gatshme te përballeshim me te gjitha sfidat qe na
dilnin para. Do thosha se, kohe tjetër ishte ajo, por sigurisht jo ma e mire se
kjo e tanishmja. Kosova ecte me hapa te sigurt drejt pavarësisë se pritur, e ne
ende përballeshim me situata ku shumëçka nuk ishte e sigurt dhe nuk ishte e
mjaftueshme për te ecur vertikalisht.
Para nesh qëndronte e madhe dashuria për shtetin e jo për pushtetin.
Liria rrezatonte me uniformen e UÇK-es, dhe çdo séancë parlamentare reflektonte
besim dhe siguri tek populli i shumëvuajtur. Ne duart tona kishim ëndrrën
shekullore qe ishte bërë binom me realitetin. I lumtur ishte populli, qe lirin
e kishte fitua me gjakun e bijve dhe bijave ma te mira te kombit. Çështja e gruas, pa marrë parasysh se në
ç’formë shtrohet, përbën një temë vazhdimisht aktual në të gjitha kohërat dhe
në të gjitha shoqëritë, do te jete e diskutueshme, por, të analizosh angazhimin
dhe përfshirjen e saj në jetën politike dhe vendimmarrëse në Kosovë, deshëm o
s’deshëm ne, nëpër mes kësaj na del në shesh realiteti i ynë i hidhur politik
nëpër të cilën kaloi gruaja shqiptare. Sigurisht që nuk duhet hedhur poshtë në
mënyrë arbitrare zhvillimet pozitive që patën gratë pas luftës së fundit që
ndodhi në Kosovë. Dhe, pa hamendje do të thosha se këtë pozitë që ka sot, ishte
lufta permanente që bënë ato si për barazi gjinore, njëherë edhe për pavarësi
të Kosovës. Pjesëmarrja e saj në radhët e UÇK-së, dëshmoi edhe njëherë se ajo
ishte e zonja të udhëheqë dhe të vendos vetë për fatin e saj dhe të vendit. Andaj edhe fillimisht, 30% i
propozuar nga OSBE-ja për pjesëmarrjen e gruas në zgjedhjet lokale dhe kombëtare,
nuk ishte i rastësishëm. Por, mendojë se kjo përqindje kishte ngelur vetëm si
numër, poqese ajo nuk do te angazhohej në organet e vendimmarrjes, atëherë edhe
kjo përqindje do ishte e knaqshme,sepse përqindja,do të ishte ashtu siç e ka
dhenë natyra, 50%=50% . Gruaja do të ngel vetëm si dekor e jo si faktor’
atëherë, shtrohet pyetja se çfarë rëndësie do te kishte rritja e përqindjes.
Por, nëse ajo angazhohet, vepron dhe jep maksimumin e vlerave të veta pozitive,
atëherë arsyetohet edhe pjesëmarrja e saj, dhe në të ardhmen, pse jo, edhe të
synohet një kuotë edhe më e madhe, ta zëmë në, se edhe ashtu përbëjmë gjysmën e
popullsisë, apo gjysmën e trurit kombëtar. Ne gratë jemi vërtete krijesa
suptile, te ndjeshme, por ama me një krenari dhe qëndresë te paparë. Ne mundemi
të bëjmë shumë edhe atëherë kur sfidat janë të mëdha, ne mundemi ti kalojmë ato
edhe kur ato nuk kalohen dot. Gratë, janë gurë themeltar te kësaj shoqërie ,se
burrat trima lindin e rriten nga nenat trimëresha, thotë populli, andaj sot,
bëjë apel, te të gjitha gratë ,se e keqja mundet vetëm atëherë kur jemi unik,
dhe angazhohemi për te njëjtin qellim. Besoj se pajtoheni me mua.
Viteve të fundit shkruhen shumë libra e
monografi historike. Disa prej tyre
vuajnë nga folklorizmi dhe mitizimi. Sipas jush, cili do të ishte parimi më i
besueshëm për hartimin e një libri historik?
Në përgjigjet e mëhershme biseduam për librin dhe të dhënat shkencore.
Andaj është mirë le të shkruhet histori por gjithsesi me fakte, se përndryshe
më vonë do na hakmerret dhe do na dënoj e kaluara e jonë e lavdishme. Është
mirë të shkruhen libra me kujtime nga të burgosurit politik, nga
ish-funksionarët në ish Jugosllavi, të botohen libra me dokumente që ndodhen në
arkiva private e individuale të njerëzve, të hulumtohen arkivat e vendeve që
kanë vendosur për fatin tonë, se vetëm si e tillë historia e jonë do të jetë e
kompletuar shkencërisht. Ne nuk kemi nevojë ta zbukurojmë historinë, të
krijojmë mite sepse, për ne fletë mjaft vetëm e vërteta shkencore dhe mjafton.
A mendoni se historia më e re e Kosovës
duhet të rishkruhet, dhe nëse po, çfarë parimesh duhet të ndiçen, për një
histori të mirëfilltë të kësaj periudhe?
Kohët e fundit, në komunitetin shkencorë me
të madhe po flitet e po riflitet, po debatohet e po shqyrtohet, se gjithsesi
duhet të rishikohet dhe të rishkruhet historia jonë kombëtare. Në një mënyrë të
heshtur nganjëherë fitohet përshtypja se tabori i historianëve është ndarë në
dysh. Një grup mendon se veprat që janë shkruar nuk ka nevojë të rishkruhen dhe
të riplotësohen me të dhëna të reja.
Mendoj se tani nuk ka nevojë që të zbresim shkallëve të shumta të
historisë dhe të shohim se në çfarë kushtesh kemi punuar dhe në çfarë
rrethanash kemi shkruar historinë tonë. Rishikimi i historisë është në natyrën
e historiografisë, andaj mendoj se në logjikën e shkencës, në çdo kohë dhe në
çdo periudhë është i lejueshëm dhe shumë i arsyetueshëm rishikimi i saj.
Mendimi shkencor mendoj se ka edhe dialektikën e vet të zhvillimit, pikërisht
në këtë mënyrë ai mendim thellohet dhe
kapërcehet në kufizimet që si rrjedhojë kanë kushtet konkrete në periudha të
caktuara historike dhe nga rrymat ideologjike që i përjetuam në kohë të
ndryshme të historisë. Siç është e ditur, në rrugëtimet e gjata të historisë së
hidhur, populli shqiptar bëri shumë lufta, pati shumë personalitete, numër të
panumërt organizimesh, pati shumë lëvizje e organizata të panumërta ilegale dhe
vlen të cekim që gjatë historisë patëm edhe arritje, të cilat kishin vlera të
larta e të mirëfillta jo vetëm për ne, por edhe për historinë e rajonit e më
gjerë, me të cilën me plot të drejtë krenohet kombi shqiptar. Do të përmendja
figurën emblematike të heroit kombëtar - Skënderbeun, Nënën e Madhe - Tereze e
shumë e shumë personalitete të tjera, që nuk do të ndalesha tani t’i numëroja.
Duhet pranuar se gjatë viteve 1945-1990 historia jonë është shkruar kryesisht
bardhë e zi (me oscilime të vogla). Andaj, tabori i dytë i historianëve
mendojnë dhe thonë me të drejtë se, gjithsesi, historia e jonë duhet të
shkruhet dhe të rishkruhet, kuptohet vetëm aty ku është e shtrembëruar, të
përmirësohet, dhe të plotësohet me të dhëna të reja që i kemi me bollëk dhe
kujdes të veçantë t’i kushtojmë historisë më të re të popullit shqiptar, që
deri diku është e pahulumtuar. Më se gjysmë shekulli, historia e popullit
shqiptar, në ish-Jugosllavi, herë-herë ishte e kualifikuar si veprimtari
antishtetërore dhe herë-herë mbante shifrën e fshehtësisë shtetërore të
shkallës më të lartë - si temë tabu. Në qarqet shtetërore dhe ndërkombëtare,
shteti ish-jugosllav kishte filluar një fushatë të paparë antihistorike dhe
dezinformuese për popullin liridashës. Të gjithë historianët janë dëshmitarë
(kuptohet, ata që kanë hulumtuar në arkivat e ndryshëm në Serbi), se si kanë
qenë të censuruara dokumentet arkivore. Mbyllja apo seleksionimi që u bëhej
dokumenteve arkivore dhe censura e hekurt që aplikohej në ish-Jugosllavi,
kontrolli i plotë i shtypit, medies dhe mungesa e “rrjedhës” së informacionit,
propaganda mbi “sukseset” e regjimit, kishin si qëllim të pengonin të vërtetën
për historinë dhe historiografinë shqiptare. Për qëllime propagandistike
antishqiptare, pushtetarët dhe “shkencëtarët” serbë, për një kohë shumë të
shkurtër opinionit vendor dhe atij ndërkombëtar, gjatë viteve 1981-1989, i
kishin servirur mbi 800.000 artikuj, deklarata, diskutime, fejtone, foto,
intervista, karikatura, komente, reportazhe për shqiptarët, për jetën, luftën
dhe bëmat e tyre. Nga kjo del e dhëna se shteti totalitar i Jugosllavisë, duke
politizuar çdo qelizë të jetës shqiptare, nuk la pa prekur assesi as
historiografinë. Ky politizim u shfaq në faktin se gjithë zhvillimin e
proceseve historike e lidhte vetëm me faktorin serbo-sllav, me rolin e shtetit
dhe luftën e tyre për çlirim. Në shkrimet dhe punimet e ndryshme, të gjitha ngjarjet
dhe figurat shqiptare vlerësoheshin vetëm sipas kutit të historiografisë serbe.
Për çdo sukses, përcaktues ishte roli i këtyre të fundit. Madje, për këto ishin
të pakta ose të papërfillshme gabimet apo të metat, gjë që fliste për një
trajtim të njëanshëm e jo objektiv të realitetit. Ky trajtim i njëanshëm i
historisë linte në harresë ngjarje e figura të tjera të rëndësishme të
historisë, që lidheshin me forca të tjera kombëtare e politike. Me këtë trajtim
të njëanshëm, historia kombëtare shqiptare ishte jo vetëm bardhë e zi, por
dimensionet kombëtare të saj tkurreshin e ngushtoheshin deri në pabesueshmëri.
Gjatë tërë kësaj periudhe (1945-1990), nga historia shqiptare u mënjanuan ose
fare pak u shkrua për ngjarje e figura të shquara të kombit, vetëm e vetëm pse
binin në kundërshti me qëllimet okupuese të shtetit jugosllav. Bile-bile,
shkohej aq larg sa këto të fundit ishin trajtuar si forca reaksionare dhe
antikombëtare.Por, pas vitit 1990, kur në Kosovë filloi “të jetësohej” sistemi
shumëpartiak (megjithëse i kufizuar), në një mënyrë, kjo kohë është edhe
kapërcyell, kur ndërgjegjja intelektuale haptas dhe me këmbëngulje u vu në
mbrojtjen e popullit të vet dhe filloi të shkruante për të kaluarën e afërt nga një kënd tjetër,
kur shkrimet historike, publicistike dhe politike filluan me rebelizëm të mos
respektonin censurën e hekurt serbo-jugosllave dhe të zhvishen nga
ideologjizmat e censurat e ndryshme. Pikërisht atëherë, kur të dhënat historike
filluan të quhen me emrin e vërtetë e shkencor - fakte historike, lirshëm mund
të shprehem, se, ndoshta edhe ashtu pa u vërejtur, filloi në një mënyrë të
rishikohet dhe të rishkruhet historia e mirëfilltë e popullit shqiptar.
Dhe, mendoj se përkushtimi ndaj historisë së
kombit, përbën një detyrim për çdo penë të historisë, të letërsisë, të dramës e
të gjinive të tjera. Pra, kjo ngel në ndërgjegjen e çdonjërit nga ne.
Çka presin lexuesit nga Sabile Keçmezi –
Basha?
Besoi se në fillim të marsit Instituti i
Historisë së Kosovës do i nxjerr nga shtypi tri libra të mi: “Formimi dhe
veprimtaria e ONDSH- Procesi gjyqësor i Prizrenit, 1946”; Ngjarjet, dëshmit dhe
identiteti kombëtar” dhe librin e tretë “Ballafaqim me dëshmitë historike”.
Ndërsa adhuruesit e poezisë qysh nga java tjetër do të kenë në dorë gjithashtu
edhe tri përmbledhje me poezi si : “Testamenti”, “Çka do bëjë pritja pa mua”
dhe përmbledhjen me poezi për fëmijë “Beni e qenushi” dhe kam diçka të
formësuar nga publicistika shkencore.
Cila është porosia juaj për studiuesit e
rinj dhe femrën shqiptare përgjithësisht?
Do iu thosha atë, çka i kam thënë
vazhdimisht Sabiles, gjithnjë besoni vetëm në punën tuaj, e ajo arrihet vetëm
me punë të vazhdueshme, të palodhshme dhe jam e bindur se rezultati nuk do të
mungoi. Femrat tona duhet të jene vetvetja dhe asnjëherë dhe kurrë mos ta ndjen
veten inferiore me të tjerët. Se ne mundemi, kemi aftësi dhe në çdo punë ia
dalim mbanë.
Comments
Post a Comment