ANDREA DHE HELENA

Resmi Osmani                                                                                         Novelë
                                      
                                                                                          Vazhdim
     7
Pakkush e mësoi atë mbrëmje në Krujë atë ç’ka kishte ndodhur. Andrea princeshën Helena ia dorzoi së motrës Zmfinës gazmore,që la mendjen pas kësaj bukurosheje të dalë nga deti! E quajti shpirt e zemër i gatiti një dhomë për të bujtur dhe i bëri shoqëri deri sa u shtri për gjumë .
Të nesërmen, gjënë e parë që bëri Andrea, ishte t’i bënte të ditur atit atë që kish ndodhur dhe ta  njihte me Helenën.
Zamfina e ndihmoi Helenën të vishej, të nisej e stolisej, ashtu si i takonte sërës së saj. Andrea, e zuri për dore dhe mori udhën për në kabinetin e të atit. E mposhti drojen dhe frikën, e hyri në kabinet. Zemra i rrihte si e zogut që bie nga foleja. Priti sa ati t’i shihte.
     -Gëzuash imzot!
     -Gëzim e të mira paçi- Tanushit i mbetën sytë te e panjohura me një bukuri tën paparë.-Po kjo vashë?
      -Është princesha Helena-Fiameta,bija e mbretit Robert të Napolit.Me bekimin dhe hirin tënd, kemi vendosur të martohemi!
Tanushi brofi më këmbë  musi t’a kish pickuar gjarpri.
      -Si kështu, pa u njohur, me një të parë! Ç’janë këto shaka pa kripë! Pa pëlqimin dhe lejën e mbretit, atit të saj? E di se ç’po bën? Kjo s’është martesë,por kob, shpallje lufte, e kujt pa, mbretit të Napolit, aleatit tonë, vasalë të të cilit ne jemi. Për një grua po i ve flakën Arbërisë!
      Shfrim i dufit të paprtitur, pastaj heshtje e rëndë.
      Flisnin shqip dhe Helena nuk po kuptonte atë që thuhej, por nga gjuha e trupit, shfytyrimi dhe hakërrimi i atij që do të ishte vjehrri i saj, kuptoi që gjërat nuk ishin mirë.Nga një vëhtrim I shpejtë, pa që ati duhet të ishte rreth të pesëdhjetave, shtatlartë, i hijshëm, fytyrën qarkuar nga mjekra e prerë shkurt ,qafa tërë deje, shikim zhbirues,që edhe zemërimi s’ia hiqte nga pamja mirësinë. Andrea i ngjante shumë.
     -Duhet ta kthesh vajzën atje ku e more!
      Për Andrean kjo ishte si një shuplakë syve, në mos ca më keq.
     -Jo imzot, mos ma kërko këtë. Harku  është shkrehur,shigjeta është shkëputur  dhe s’kthehet më pas!
     -Duhet t’a bësh, t’ua kursesh këtë turpërim mbretit Robert, Filip de Kurtenayt dhe telashet tona që mund të kemi  sosh. Do të themi që ajo erdhi sa për të parë bukuritë e qytetit tonë të Krujës.
     -Nuk mundem. Si nuk e kupton imzot?Është një gjë e vendosur me mendje e zemër nga të dy. Ati im, unë s’jam si gjithkushi, por biri yt, djali i Tanush Topisë, princ dhe kryezot i arbërit dhe fisnikes Vlajka Gropës. Helena bijë mbreti. Në rrembat tona rrjedh gjak fisnik që s’na e mundëson t’a flakim në baltë krenarinë tonë!
        I biri ishte si gur stërralli. Sado ta goditje, nuk I shkëputeshin cifla, por vetëm shkëndija. Si vetë ai, si gjithë Topiajt.Durimhumbur, ai i tha atë që s’duhej t’ia thoshte:
        -Po se ktheve, do të përjashtoj nga trashëgimia.
        - Dhe këtë ma the? Bëje! Po s’na deshën njerëzia, do shkojmë të jetojmë me egërsirat në shpellën e Pëllumbave[1]!
         -Pse ç’prisje pas kësaj proçke, lavdërime?
         -Prita bekimin e kësaj dashurie, urimin për jetë të lumtur dhe bukë të ëmbël!
          S’kishte mbetur  gjë më për t’u thënë. Me një shenjë të dorës, u tha të largoheshin.
         Pasi të rinjtë dolën,Tanushi u mbyll në kabinetin e punës të kështjellës së Krujës. Eh, martesat! Krushqitë lidhnin miqësira, farkëtonin aleanca, lëviznin pronat dhe kufinjtë. Muzakajt dhanë bijën Komitën te Balshajt dhe tok me të si pajë Kaninën.Despoti Mihail i Epirit, martoj të bijën me një princ Anzhuin, dhe si pajë Himarën dhe Vlorën, anzhuinët e Napolit dolën në brigjet e Jonit,një princeshë napolitane u martua me Stefan Uroshin e serbisë.Gjithandej miqësira. Vetëm i biri, sido me martesë të fisme, në vend të bënte miq bëri armiq. Dhe cilin pa? Mbretin më të fuqishëm të Europës, i vetmi që mund t’u vinte fre serbëve që lakmonin Durrësin dhe Arbërinë. Ishte si në jerm. Mbi tryezë ishin radhonjtë dhe tapitë pronësore, ftesa për gjyqe, letra që prisnin përgjigje, me kërkesa dhe ankesa.Telashe me Muzakajt për pronat e Matrëngajve, ngacmime nga Balshajt në Kurbin dhe Dukagjinët në Mirditë,intriga veneciane dhe serbe, që si lukuni ulqërish,  donin ta shqyenin Arbërinë. I shtyu tutje. Asnjë dëshirë për t’u marrë me ‘to. Hodhi sytë nga raftet e bibliotekës ngarkuar me libra që i kishte sjellë dhe serënditur dom Dominiku. Mbase atje ishte e ndryrë urtësia njerzore dhe përgjigja për atë që s’po i gjente dot zgjidhje. Mirë e thoshin të moçmit:”Atë që të bën fëmija, s’ta bën as perëndia”. Tek je tek jam, as ndër mend, as në fiqir, biri i vetëm, vete rrëmben princeshën napolitane, i paraqitet me të i zënë për dore, pa gajle dhe tërë gaz, pa turp e droje, i thotë se ajo është nusja e tij! Më ngusht se kishte ndjerë veten. Për e bukur, yll e hënë, për e fisme, bijë mbreti, por ajo ishte e vluara e tjetërkujt. Ishte si t’ia rrëmbeje tjetrit kafshatën nga goja! Në këtë vorbull përziheshin tri mbretëri. Hall’ i madh, si i bëhesh vallë?
    Oficeri i rojeve të portës trokiti në kabinet.
    -Imzot!
    -Më thuaj.
    -Është paraqitur mëkëmbësi i mbretit me shpurën e tij dhe kërkon t’u takojë.
     -Edhe këtë kishim mangut! Le të vijë. Lajmëro edhe dom Dominikun dhe Andrean.
      Arratisja e Helenës me Andrean, apo rrëmbimi, quajeni si të doni, kur u mor vesh, bëri bujë të madhe në Durrës. Për ‘të u thanë të qëna e të paqëna, që shpesh u ngjanin përrallave dhe fantazive. Mëkëmbësi i mbretit, sido që nuk ishte fajtor, ishte përgjegjës para mbretit për sigurinë e princeshës dhe zuri vrapin për në Krujë, me mendimin e pashpresë për ta rikthyer princeshën në Durrës.
      Tanushi nuk doli t’a priste. Ia la atë barrë dom Dominikut. Vetë e me Andrean, qëndruan brenda. Ai nuk e duronte dot këtë aristokrat fodull e sqimatar, me sjellje të stërholluar dhe atë vështrim tinzar e përbuzës. Tanushi nuk ishte nga ata që e puthin atë dorë që s’e kafshojnë dot.
      Konti Çezare di Falkone, pas pyetjeve dhe interesimit të rastit për shëndetin e bashkëbisedusit, foli për kohën që ishte e bukur, për të korrat dhe lëmenjtë që kishte parë në fshatrat e fushës e që dukeshin të mbara, ngjëroi pemët e stinës dhe pak verë, pastaj e zbrazi:
      -Në juve gjendet një shtetase e Mbretërisë së dy Siçilive, princesha Helena d’Anzhu, e rrëmbyer nga biri juaj në pallatin tonë të sinjorisë, që ju s’duhet t’i kishit dhënë strehë. Për sigurinë dhe jetën e saj, jam përgjegjës para madhërisë së tij, sovranit tonë mbretit Robert. Kam ardhur që ta marr. Duhet të vijë me hir, në mos do të shtrëngohemi  ta kthejmë me pahir!
      - Kont, po bëni vite në Arbëri, dhe s’keni mësuar asgjë për zakonet tona. Shtëpia është e zotit dhe e mikut, ajo është e hapur për këdo që troket, qoftë ky edhe hasmi! Sa për atë që ju e quani rrëmbim, duhet t’i matni mirë fjalaët. Im bir s’është cub, princesha erdhi bashkë me ‘të me dëshirën dhe vullnetin e saj të lirë. Por edhe po të ishte rrëmbim, mësojeni  se ndër ne, rrëmbimi i vashave nga djemtë është një zakon i moçëm! Duhet ta dini, nëse na njihni ndopak, se ne nuk jemi nga ata që tremben nga kërcënimet. Me pahir s’del askush nga portat e këtij qyteti!
      - Dua ta dëgjoj nga goja e saj.
        Andrea doli dhe pas pak u kthye së bashku me Helenën.
        Mëkëmbësi i mbretit u ngrit dhe u përunj me oborrësi.
      - Princeshë!
      - Kont!
      - Lartësia juaj mbretërore, ndjehemi të shqetësuar posaçërisht  për shëndetin tuaj dhe kemi ardhur që të ktheheni me ne në Durrës dhe të vijoni lundrimin për në More, ku u pret i fejuari juaj, princi i ndritur Filip de Kurtenay. Ky është vullneti dhe urdhëri i sovranit tonë mbretit Robert. Vullnet që ne të dy duhet t’i bindemi pa mëdyshje.
      Heshtje. Andrea shtëngoi grushtet.Helena, me qëndrim krenar dhe një buzagaz qesëndisës, mori e tha:
      -Kont e nënmbret. U bëj me dije, se askush s’më ka rrënbyer apo detyruar. Kjo është zgjedhje e zemrës  dhe pëlqim i mendjes sime. Rasti fatkeq u kthye në fatbardhësi. Ati më nisi që të martohesha dhe unë atë bëra: po martohem. Ishte vullneti i Zotit që unë, apo më mirë ne, të gjenim shoshoqin. Ju nuk mund ta kuptoni.  Ai dhe unë u dashuruam me shikim të parë. U pëlqyem. E dëshiroj dhe më do. Me të do të shkoja deri në fund të botës! Ky s’është një trill. As kuturisje mëndjelehtë e dy të rinjve, por një vendim, që na takon neve vetë ta marrim për jetët tona. Kjo dashuri do të lidhet me martesë. I kemi marrë në sy rrjedhimet dhe rreziqet nëse do të ketë të tilla! Këtë përgjigje jepini dhe atit tim. I kërkojmë falje, por pa pendesë.
     Tha këto dhe papritur përgjigje apo kundërshtim doli bashkë me Andrean.
      Për kontin nënmbret Çezare di Falkone, ishte një mision i dështuar. Po ai nuk mund të rrinte pa u bërë të njohura Topiajve rrjedhimet e kësaj martese  mendjelehtë pa lejen e mbretit.
       -Përherë Helena. Helena e Trojës, Helena e Arbërisë. Paridi dhe Andrea. Historia përsëritet. Gjithmonë dashuria dhe një grua!- Dom Dominiku fliste latinisht, me zë të ulët si t’i fliste vetes dhe Tanushi nuk e kuptoi dhe as nuk e dinte se ku do të dilte i vëllai.- Eh, dashuria, shën Gjoni na thotë se Zoti, perëndia ynë është dashuri. Edhe Jezusi thotë po të më doni mua, keni dashur perëndinë. Në Galile ai e bekoi martesën dhe vetë zgjodhi një nuse të perëndishme, u martua me kishën! Jeta është dashuri!Eva dhe Adami. Burri dhe gruaja janë bërë për njëri-tjetrin. Dashuria është një dëshirë që djeg si zjarri. Në përmbushjen e saj, s’njeh as pengesa, vështirësi, apo kundërshtime. Përkundrazi ato e ndezin më keq flakën e atij zjarri, duke i shtyrë fatkeqët deri në marrëzi apo vetflijim. Djali ynë dhe vajza juaj, s’janë as të parët as të fundit që ua godit zemrën shigjeta e Erosit. Na takon t’ua bëjmë të lehtë këtë lidhje.
      - Ashtu vërtet, at i shenjtë, po ka dhe ndoca gjëra të tjera që ju duhet t’i dini. Në bibël thuhet: “Bijtë hanë rrush të pabërë, etërve u mpihen dhëmbët!” Besoj që domethënien e kuptoni mirë. Kjo që për të rinjtë është dashuri, për mbretin është fyerje dhe mund të bëhet shkak , që për të vënë nderin në vend, të vringëllijnë armët dhe Arbëria të ndizet flakë! Zgjidhni dhe merrni!
      - Edhe populli ynë e ka një thënie të tillë: “Djemtë hanë kumbulla aguridhe, etërve u mpihen dhëmbët.” Na takon edhe neve por më së pari juve, që t’ia zbusni zemërimin mbretit Robert dhe ta pranojë këtë martesë. Zemërimi, është këshilltar i keq, qoftë edhe për një mbret.
      Tanushi e mori kumtin. Mëkëmbësi i mbretit e kërcënoi me luftë!
     - Shkëlqesi, nuk ju duket se po nguteni! Mos shkoftë puna deri aty, se pastaj, si i themi ne, dy duar për një kokë. Arbëria nuk është kafshatë që kapërdihet lehtë. Dhe dijeni, ne nuk jemi vetëm.
      Dërgata u largua. Kali i nisur për Helenën u kthye bosh.
         8
    Dona Çeçilia,kur u kthye në Napoli,bashkë me kapitenin dhe zonjushat e nderit, nuk guxoi të përballej me mbretin, por kërkoi takim me mbretëreshën Sançia. Lajmi I shkatrrimit të anijes dhe ndërprerjes së udhëtimit për në More, kishte mbrritur para tyre.Mbretëresha dëgjoi me durim rrëfimin patetik të ngjarjes. Por kur mësoi dashurinë e papritur dhe largimin e Helenës me djalin e kryezotit të Arbërisë u shtang. Dona Çeçilia, ia tha një për një ato që e kishte porositur Helena.Ndërkohë I dalë nga goja e kapitenit dhe zonjushave të shoqërimit, lajmi mori dhenë si ta kishte sjellë e shpërndarë era.
    Pasi e mblodhi veten nga tronditja, atë pasdite, mbretëresha shkoi në kabinetin e mbretit dhe e vuri në dijeni për sa kishte ndodhur.Mbreti s’priti t’a dëgjonte dy herë.Atë e pushtoi furia e zemërimit dhe duke u sjellë si i çakërdisur nëpër kabinet shpërtheu me rrufetë dhe lumin e fjalëve të hidhura dhe poshtëruese që Sança s’ia kishte dëgjuar asnjë herë.
    - A e sheh,moj zonjë se ç’bëhet, se deri ku mund të arrijë mosmirënjohja dhe poshtërimi? Dhe kujt ia bën ajo këtë turpërim të padëgjuar? Mua, birit të mbretit Karl, dhe Maria d’Arpad të Hungarisë, nip i mbretit Ladislav, me vullnetin e Zotit: Mbret i Napolit, Princ i Salernos, Princ i Akajës,Dukë i Kalabrisë, Kont i Provansës dhe Anzhusë, Mbret’ i Jerusalemit, Mbret i Arbërisë. Me lidhje gjaku me familjet më të shquara mbretërore të Europës! Turp, një mijë herë turp, që s’mjafton ta lajnë as uji i gjithë deteve. E rrita me pekuli, e desha edhe më shumë se bijtë e mi, i zgjodha një fat të shquar dhe si ma shpërbleu? Braktisi një mbret të Kostantinopojës, Princin e shquar franko-gjerman Filip të Moresë, me një bandill, mashtrus e ngashnjyes arbër, që s’është as princ, as fisnik por një varfanjak, pa plang e pa zotrime. Dashuria, dashuria me një të parë! Broçkulla çupëlinash mendjelehta e kalorësish pa trashëgimi. Xhinerva[2], Lançeloti[3], romancat e mallkuara të trubadurëve[4]! Braktisi dinjitetin, shkëlqimin, kamjen e mirqënien dhe zgjodhi varfërinë, errësirën, poshtërimin, vasalitetin, nënshtrimin! Po për mua nderin tim, a mendoj vallë?  Se si do të kem sy e faqe, me këtë barrë turpi  t’u dal ballë mbretërve dhe fisnikërisë europiane? O Zot, pse je kaq i padrejtë! Ti që lëshove tërbimin e shtrëngatës mbi atë anije ku udhëtonte mëkati, pse nuk godite me një rrufe mëkataren ta bëje shkrumb e hi, por e le gjall për të zezën time?
     Pasi tha këto e të tjera dhe zbrazi dufin, mbreti u ul i dërrmuar në  fron. Mbretëresha Sança e shihte me keqardhje e pa fjalë, por si grua, që e njihte më mirë shpirtin e femrës dhe t’i gjykonte ndjenjat me mendja më të hapur e të shpenguar, thellë në vetëdije, e kuptonte vendimin e thjeshtrës.
      -Për mua, Helena ka vdekur. Të dy i dua të vdekur. Vetëm vdekja e lan këtë turp!Mallkimi im ka për t’i ndjekur deri në varr.Skam për t’i falur kurrë!
       Dha porosi të thërrisnin admiralin Françesko d’Ambroxhio.
       Kur doli nga kabineti, mbretëresha pa se rojat dhe shërbenjësit i shmangeshin dhe kokunjur si të turpëruar i hapnin udhë.Pllati kishte rënë në heshtje si të kishte ngjarë një vdekje e papritur.
        Admirali nuk u vonua.Pamja e mbretit e stepi.
        -Në shërbimin tuaj madhëri ,- mbreti nuk e ftoi të ulej. Edhe vetë ecejakej nëpër kabinet. Admirali priste gjakngrirë.
         -Të përgatitet flota për luftë.Do të zbarkojmë një ekspeditë ndëshkimore në Durrës, në mbretërinë tomë të Shqipërisë. Arsyen besoj e dini.
         - Diç më ka zënë veshi.
         - Dua ti kallet flaka. Të rroposet kulm e themel.Të mos mbetet gur mbi gur.Të digjen e shkatrrohen të mbjellat, që të vdesin nga uria. Të pushtohet Kruja dhe kështjellat e tjera.Të mos mbetet kokë mbi trup! Helenën dhe Andrea Topinë i dua të gjallë. Të mi sillni të lidhur me zinxhirë këmbë e duar!
         Admirali e dinte që mbreti nuk i duronte kundërshtimet, por rrezikoi të shfaqte mendimin e tij për këtë ekspeditë ndëshkimore.
         -Madhëri, duhet ta mendojmë mirë.Ju e dini që atje ne s’na duan dhe mezi na duroujnë nga e keqja. Shpesh jemi ndeshur me mosbindjen dhe rebelimin e tyre, që ua mundëson vetqeverisja. Në këtë rast ata do të bashkohen: Topiajt, Muzakët dhe Balshajt, Dukagjinët dhe Gropajt në ndihmë mund t’u vinë dhe Serbët që lakmojnë Durrësin, me të cilët janë lidhur me krushqi.Druaj se do të kemi humbje dhe zor t’ia arrijmë qëllimit!
        -Nuk të kam thirrur të më japësh ment, por të bësh detyrën!
        -Si të urdhëroni ju madhëri!
          9
         Kaluan javë e muaj. Flota ishte grumbulluar në Otranto. Po afronte vjeshta dhe ekspedita ende s’ishte gati për të kapërcyer Adriatikun. Mbreti filloi të dyshonte në suksesin e asaj ekspedite luftarake. Nënmbreti e njoftonte nga Durrësi se të njëjtën po bënin dhe arbërorët.Retë e luftës kishin zbritur në të dy anët e Adriatikut.
     Ishte në këtë kohë, që shënjtëria e tij Papa Xhiovani XXII[5], të cilin e respektonte dhe ia dëgjonte fjalën së tepërmi nisi një legat me një letër. E niste me “Biri im i dashur” dhe i bënte me dije, se “Vëllai ynë katolik”kryezoti I Arbërisë, Tanush Topia, kishte dërguar në Vatikan të vëllanë, peshkopin e Krujës, kapelanin Dominik Topia, një prelat i ditur dhe i shenjtë i kishës, me lutje të përshpirtshme dhe për të kërkuar falje. Ata e njihnin fajësinë e birit të tyre dhe e dënonin, por tanimë e keqja ishte bërë.Kjo s’duhet të pillte një tjetër edhe më të keqe!Të rinjtë kishin rënë në ngasje të ndjenjave dhe  veprimi ishte nën nxitjen e impulseve të çastit. Shënjtëria e tij e këshillonte që edhe nëse  nderi i tij, nuk ia lejonte që t’i falte të rinjtë, të mos ndërmerrte veprime luftarake, pasi një luftë do të ishte në dëm të të dyja palëve dhe do t’i ftohte arbërorët nga Kisha Romane dhe do t’i  hidhte në krahët e kishës së lindjes, e cila mezi e priste këtë rast.Të mos ngutej, koha do të sheshonte shumë gjëra. Letra mbyllej me bekime apostolike. Kjo letër e bëri mbretin Robert të mendohej dhe ia ftohu zjarrin e luftës. Gjithsesi. Kishte ende kohe për t’u menduar.
      Rastisi që në ato dit, të ndodheshin në Napoli tre burra mendje ndritur: poetët Petrarka, Bokaçio dhe piktori Xhoto. Të tre fiorentinë. Lajmës nga oborri u kumtuan të treve se mbreti Robert i priste për një bisedë në bibliotekën e pallatit. Aty i mirseardhi me nderime kujdestari bibliotekës Paolo di Peruxhia. Mbreti nuk vonoi. Syrit të Petrarkës, nuk i shpëtoi ajo hija e mërzisë në sytë dhe fytyrën e mbretit. Ishte një brengë të cilës besonte se ia dinte shkakun. Poeti i ri, kishte nderim të veçantë për Të. Ishte i vetmi mbret që kishte njohur, i dhënë pas filozofisë, i pasionuar pas poezisë, që lexonte Virgjilin[6], Ovidin[7], Senekën[8], vlerësues i arteve të bukura, përkrahës dhe mecenat[9] i talenteve të reja. Për këtë e kishin quajtur”Il sagio”, i dituri. Mbreti qe i drejtpërdrejtë:
      -Mungon vetëm Dante, por edhe nga ju të tre të dashurit e muzave, besoj do t’a marr përgjigjen e një pyetjeje që më mundon: a ekziston dashuria me shikim të parë? E kërkova te Seneka , në “Artin e dashurisë” por nuk e gjeta. Si Thua Francesko?
       Petrarka nuk u përgjegj menjëherë, nuk e dinte ku synonte mbreti me atë pyetje.
        -Dashuria, madhëri, nuk mund të përkufizohet, ajo është diçka hyjnore, që lind bashkë me ne dhe jeton në ne sa të jemi gjallë. Është gjëja më e bukur që i ndodh njeriut, por edhe më e mistershmja në mardhëniet njerëzore.  Çdo djalë apo vajzë apo burrë a grua, ka brenda vetes përfytyrimin e personit ideal që do t’a donte dhe do t’a bënte të lumtur. Kur e hasin, shoshoqin dashuria brenda vetes shpërthen dhe si një lumë drite derdhet nga sytë, që janë dritaret e shpirtit. Kjo është dashuria me shikim të parë. Një tërheqje e fortë e dyanshme, si një magji që ska forcë ta ndalojë. Si e tillë ajo është e pa qortueshme dhe e pa dënueshme . E qetëson vetëm martesa dhe gëzimi i fryteve të saj.
       - Atëherë, ti beson në dashurinë me shikim të parë?
        - Po, madhëri!
           Ishte radha e Bokaçios.
        -  Po ti Xhovani ?
        -  Madhëri. Ne, poetët, edhe kur nuk e gjejmë në jetë gruan që do të na bënte të lumtur, shëmbëllimin  e saj e ndërtojmë dhe e ndryjmë  brenda vetes si diçka ideale, mistike, është ajo që e quajnë dashuri platonike dhe ajo bëhet Motiv dhe heroinë e poezive tona. Njësh si muza. Për Danten është Beatriçe, për Petrarkën Laura, për mua Fiameta e bukur. Çdo kalorës ka damën e zemrës së vet. Jemi dashuruar me to me shikim të parë! Edhe pse diçka imagjinare, ato janë bërë mbretëreshat e zemrave tona dhe ne skllevër të tyre.
        -E mora përgjigjen- tha mbreti dhe ia qepi shikimin Xhotos.
        - Im zot e mbret. Gjuha ime është e varfër për të shprehur me fjalë,ashtu siç bënë të dy poetët. Unë flas me ngjyra. Për atë që na kërkoni, mund t’ju them,se në ato që pikturoj ka shumë dashuri , përdëllim , dhimbje, por edhe urrejtje, sepse kjo është e kundërta e dashurisë. Sido qoftë, drita e dashurisë hyjnore derdhet si një brerore. I besoj asaj drite mirësie. Dashuria është e mira që e mund të keqen.
         Biseda kishte përfunduar.
         Mbreti dha porosi që përgatitjet për luftë të ndërpriteshin.
         Luftë nuk do të kishte.
             10
             Dom Dominiku u kthye ngaRoma me lajme të mira.Tanushi që kishte sy e veshë gjithandej, kishte marrë lajme të sigurta se mbreti kishte ndrruar mendje. Luftë nuk do të kishte. Atëhere, kur ska luftë, ka dasmë!
           Martesa u bë të dielën e dytë të korrikut, në kishën e shën Eleuterit. Brenda ishte qetë.  Qirinjtë, që ishin drita e botës, nuk arrinin të ndriçonin gjithë hapësirën. Nga dritarja e lartë në jugë, depertonte një fashë drite që çante tej e tej mjegullzimin e tymtë të qirinjve dhe temjanit që ngjitej drejt kubesë. Gjysmë muzgu dhe amza ëmbëlcake e dyllit dhe temjanit, krijonin atë atmosferë të veçantë mistike të shtëpisë së Zotit. Të ftuarit dhe paria e Krujës zunë vend të heshtur në stolat e navatës. Dom Dominiku, veshur me petrahilin e stolisur me kryqe të artë dhe mitrën peshkopale, qëndronte në altar. Pas tij në ikonostas,epitafi i shënjtit stolisur me ar dhe argjend dhe Shën Maria me Jezusin foshnë në pëqi, dukeshin si të gjallë dhe u uronin mirseardhjen besimtarëve. Andrea dhe Helena, të shoqëruar nga dy kumbarët, dajët nga nëna të Andreas, qëndruan para tryezës ku digjeshin dy qirinj që i bënin dritë ungjillit të shënjtë. Helena ndjente  ngazëllim të brendshëm, tronditje të ëmbël.  Në zemër e shpirt kishte zbritur shpirti i shenjtë si bekim i dashurisë.
       Kumbarët bënë ritin e vendosjes dhe këmbimin e unazave.
      -Ti pra dhe tani o Zot, beko këtë vënie të unazave me bekim qiellor dhe ëngjëlli i Zotit le t’u prijë përpara tërë ditët e jetës së tyre . Pas këtij tropari , të dom Dominikut, kumbarët i këmbyen tri herë unazat e arta me gurë diamanti vezullues.
       -Dhe tani, bijt e mi, bashkoni duart. O zot, bashkoi në një mendje, bashkoi në një trup e zemër, me dashuri e përkushtim shërbëtorët e tu, Andrea dhe Helena.
         Duart duhet të mbaheshin të bashkuara gjatë gjithë ceremonisë martesore. Andrea ndjeu butësinë dhe ngrohtësinë e dorës së Helenës dhe një dridhje të lehtë, iu duk se një rrymë e padukshme kalonte nga trupi i saj dhe shkrihej në një me të tijin.
        Kumbarët vunë kurorat e stolisura me gurë të çmuar dhe me kryqe në kryet e çiftit.
        -Kurorëzohet shërbëtori i Perëndisë Andrea, biri i Tanushit dhe shërbëtorja e Perëndisë Helena, bija e Roberit, në emër të atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë. Amin.
       Kumbarët bënë këmbimin e kurorave,nga kryet e njëri-tjetrit. Çifti u bë burrë e grua!
       -Bijt e mi,Andrea dhe Helena, falnderoni përherë e për të gjitha Perëndinë….Binduni njëri –tjetrit me frikë Perëndie….Pastaj i erdhi radha kungatës që është vula e martesës. Dom Dominiku u dha të pinin verë nga kupa e përbashkët,  dhe pastaj naforën, që ishin gjaku dhe trupi i Shëlbuesit. Çifti martesor, i zënë përdore, u rrotullua tri herë rreth tryezës ku ishte vendosur ungjilli i shenjtë. Dom Dominiku bëri bekimin:
      -O Zot, bekoji këta shërbëtorët e tu, që me kujdesin tënd u bashkuan me martesë.Beko hyrjet dhe daljet e tyre dhe mbushua jetën me të mira. Madhërohu o dhëndërr si Abrahami[10], bekohu si Isaku dhe shumohu si Jakobi, duke ecur në paqe dhe duke zbatuar me drejtësi porositë e Perëndisë. Dhe ti o nuse, madhërohu si Sara[11], ngazëllohu si Rebeka dhe shumohu si Rakela, e gëzuar me burrin tënd, duke ruajtur kushtet e ligjit se ashtu denjoi Perëndia. Kujto o Zot,Perëndia ynë edhe prindërit që i rritën, se uratat e prindërve forcojnë themelet e shtëpive. Kujto o Zot,Perëndia ynë shërbëtorët e tu, dhëndurrët dhe nuset që janë bashkuar me këtë gëzim!.....
    - Andrea, bir i Tanushit, shërbëtor i Perëndisë, pranon me vullnet të lirë të bashkohesh në martesë me Helenën d’Anzhu dhe t’i qëndrosh besnik gjithë jetën, në të mirë e në të keq, në gëzim e hidhërim, në sëmundje e në shëndet….
        - Pranoj.
        - Helenë, bijë e Robertit, shërbëtore e Perëndisë, pranon me vullnet të lirë…..
         - Pranoj.
Në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, u shpall burrë e grua. Atë , që Perëndia e bashkoi, njeriu të mos e ndajë! Amin.
      Dasma u bë në oborrin e kështjellës.
      Zamfina dhe zonjat e topiajve, Helenën e veshën me petkat martesore si të nuseve vendëse, nga ngjyrat e ndezura të tyre dukej se mbi to kishte çelur pranvera! E mbuluan me ar, xhevahire dhe argjend, e nisën dhe e stolisën Helenën, si i takonte sërës nga vinte si bijë dhe asaj ku hynte nuse. I ngjyen gishtin me mjaltë dhe me të lyeu qemerin e portës, që jeta dhe buka të ishin të ëmbla, i vunë në duar një pullumb të bardhë, që jeta t’i shkonte në paqe dhe të lindte një djalë! I hodhën grushte me elb të bardhë dhe monedha të vogla ari, që jeta të shkonte me bereqet e pasuri, të cilat u turrën për t’i mbledhur fëmijët.
      Oborri i kështjellës ishte mbushur me tryeza. Në krye Andrea dhe Helena,Tanushi dhe Dominiku, Zamfina dhe zonjushat e shoqërimit, në të djathtë e të majtë bujarë e fisnikë, të ftuar nga gjithë anët e Arbërisë:Balshajt, Blinishtët, Dukagjinët, Zaharitë, Muzakajt, Gropajt. Aranitët dhe Vranat, Zenebishët. Të shumta dhe të vyera ishin dhuratat.
         Helena pa se dasma ishte e bollshme dhe e bukur.
         Tjetër vend, të tjerë njerëz, të tjera zakone.Por paskëtaj,ky do të ishte vendi I saj dhe njerëzit e saj dhe ajo do të ishte tyrja. Asaj i mbetën sytë te bukuria e veshjeve, të vashave dhe zonjave, stolitë, larushia, qëndizmat te tirqet e bardha stolisur me gajtan të zi të burrave, jelekët, këmishët  mëngëgjera dhe ksulat e bardha që ata i quanin plisa. Dasmën e çeli Tanushi:
       -Miq bujarë, mirë se ardhët që e ndriçuat dhe i shtuat gëzimin kësaj dasme. Ua shpërblefshim në gëzime.Të pimë dollinë e shëndetit të çiftit.-Me trshëgime, u dëgjua gjithandej.
        Sheshi i kështjellës u pushtua nga hareja: ushtuan currlet, xamaret, bilbilat, çiftelitë, lodrat mbanin ritmin, dajret fërfërinin si fllad. Pa u ngritën në valle trimat, që hovnin fluturim si shqiponja dhe zbrisnin me lehtësi puple, rrotulloheshin si fuga e kërcenin si kapronj. Pastaj u erdhi radha vashave, si flutura shumngjyrëshe, me çape nazike, valëzime të duarve, dredhje të shamive.
       Për Helenën, e mësuar me ballot e oborrit dhe me tarantelën napolitane, kjo dasëm ishte e pazakontë dhe krejt e re. Asaj I pëlqeu bukuria e vashave dhe hijeshija e djemve.Po shihte që arbërorët ishin racë e bukur. Me pavetëdije, ajo pyeti veten”Mes kaq vashave të bukura, të vendit të tij, përse vallë Andrea zgjodhi atë? Mos  e huaja është më e dëshiruara?!”
       Këngë, valle, gëzim, hare. Vera derdhej lumë. Sheshi I dasmës ia përcillte jehonën malit, mali ia kthente luginës, lugina fushës dhe gjithë arbërisë:”Ooo heeej, po martohen Andrea dhe Helena!
      Helena ishte e ngazëllyer. Do të donte që gjithë jetën, këtë festë ta kishte me vete.
                                                                                           Vijon
      Mars 2018.
         



[1] Shpellë në afërsi të Petrelës, në fshatin me të njëjtin emër.
[2] Heronj të romancave dhe baladave kalorsiake
[3] Po ashtu
[4] Këngëtarë mesjetarë
[5] Papë I Romës (1316-1334)






[6] Pubel Virgil Maroni(viti70 para erës së re-19 pas erës së re) poet romak,autor I Eneidës.
[7] Publius Ovidius Naso 43 para krishtit-17 pas krishtit)Poet I shquar romak,autor I Metamorfozave etj.
[8] Lucius Annaeus Seneka(4-65 pas Krishtit) filozof romak.
[9] Financues i arteve dhe artisëve.
[10] Abrahami, Isaku,Jakobi, patriarkë të dhjatës së vjetër
[11] Sara, Rebeka, Rakela, personazhe biblike.

Comments

Popular posts from this blog

Topografia e fshatit Pozheran

KANGJELA E MALLIT TË PARË

TË PAPRITURAT E NJË UDHËTIMI, ISTOG - PEJË